Të paktën 5 azikërkues janë në gjendje kritike për jetën dhe 22 të tjerë janë plagosur nga përleshjet masive ku u përdorën edhe armë zjarri dhe thika, në qytezën port të Francës, Calais. Rrethinat e këtij porti, nga ku nisen tragetet me kamionë mallrash drejt brigjeve britanike janë tashmë vendbanimi i mijëra azilkërkuesve, ndër ta edhe shqiptarë, që synojnë bregun tjetër.

Gjatë përleshjeve të përgjakshme është dashur ndërhyrja e forcave të shumta policore për të qetësuar situatën, madje edhe ardhja në vendgjarje e Ministrit të Brendshëm francez. Gérard Collomb e sheh problemin tek ardhja masive drejt Francës e emigrantëve, kryesisht nga Gjermania, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për azil.

“Jemi të shqetësuar sepse mbi 100 mijë azilkërkues kryesisht shqiptarë, por edhe nga Eritrea, Afganisatni dhe shtete të tjera afrikane kanë mbërritur në Francë pasi iu refuzuan kërkesat për azil nga shtetet e tjera evropiane, sidomos nga Gjermania. Ndërsa Gjermania i ka trajtuar rastet e azilkërkuesve shqiptare në disa ditë, procedura në vendin tonë ka zgjatur nga dy deri në tre vjet”.

Ndërsa qeveria Macron përgatit ligjin e ri më të rreptë ndaj azilkërkuesve në qytezën franceze Calais përballe brigjeve britanike jetojnë aktualisht rreth 800 rrefugjatë, ndër to 100 fëmijë, të cilët pas shkatërrimit të tendave nga policia u duhet të flenë jashtë.

Franca shpreson se do të marrë nga Mbretëria e Bashkuar rreth 44.5 milionë paund si mbështetje financiare për të ruajtur kufijtë mes tyre, pas daljes së britanikëve nga BE.

Gazeta “Guardian” raporton se gjatë vitit 2017 janë rregjistruar 981 shqiptarë të kapur në portet britanike në përpjekje për të hyre në Britaninë e Madhe, të fshehur nëpër kamionë. Jo vetëm në Calais, por edhe në Portin e Bilbaos në Spanjë dhe në atë të Roterdamit në Holandë, shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të emigrantëve të paligjshëm duke u përpjekur për të arritur në brigjet britanike me ndihmën e trafikantëve, duke përdorur edhe dokumente të falsifikuara udhëtimi.

Rreth 670 shqiptarë u gjetën me dokumente të falsifikuara në kufijtë e Mbretërisë së Bashkuar gjatë vitit 2017. Gjatë mbrëmjes së kaluar, pesë klandestinë shqiptare rreth të 20-tave u kapën në brigjet irlandeze.

Klan Plus