Luftëtari është nën hetim nga UEFA për trukim ndeshjesh. Këtë e konfirmon një letër e dërguar nga vetë qeveria europiane e futbollit në Federatën Shqiptare, që në 7 Shtator të vitit të kaluar. Në sitë po kalojnë takimet e skuadrës gjirokastrite në Europa League verën e kaluar. Luftëtari u mund në sfidën e parë në Letoni me skuadrën e Vetspils, me rezultatin e thellë 5-0, ndërsa ndeshja e kthimit në Elbasan përfundoi në barazim 3-3.

Sipas letrës së dërguar në FSHF, të siguruar edhe nga Tv Klan, deri më tani nuk ka një vendim nga Komisioni i Integritetit pranë UEFA-s, por Luftëtari nuk ka marrë ende shpërblimin financiar të pjesëmarrjes në Europa League. Ky bonus pritet të likuidohet vetëm pas përfundimit të hetimeve. Në letrën e UEFA-s shkruhet se duan të ruajnë integritetin e lojës.

“Siç jeni në dijeni, UEFA ka detyrën të mbrojë integritetin e aktiviteteve të saj dhe të ndalojë të gjitha metodat që mund të rrezikojnë ndershmërinë e ndeshjeve, gjëra këto që mund të nxisin abuzimin me futbollin”.

UEFA përjashtoi Skënderbeun nga Kupat e Europës për 10 vjet, me akuzën për trukim ndeshjesh, vendim që është ankimuar nga klubi korçar në Gjykatën Sportive të Lozanës, e njohur si KAS. Vitet e fundit UEFA po tregohet e ashpër kundër fenomenit të trukimit të ndeshjeve në nivel europian, por edhe kombëtar.

Tv Klan