Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Luftime të tjera mes forcave maqedonase të policisë dhe luftëtarëve shqiptarë UÇKM. Qendra kryesore e luftimeve ka qenë 1.5 kilometra larg Tetovës, por policia maqedonase ka qëlluar që nga brenda qytetit. Ka pasur shkëmbime zjarri me mitraloz dhe shpërthime të herë pas hershme mortajash. Policia maqedonase, ka bllokuar rrugën që të çojnë në zonën malore.

Lajmi më i rrezikshëm, duket përhapja e luftës nga fshati Tanushë, ku fillojë tre javë më parë në zonën e Tetovës, duke përhapur njëkohësisht frikën e humbjes së stabilitetit në të gjithë Maqedoninë. Bilanci i qeverisë maqedonase flet për 1 të vrarë dhe 13 të plagosur, vetëm gjatë 8 orëve të luftimeve të mërkurën. Ndërkohë gjatë trazirave të djeshme në Tetovë, ka humbur jetën Sulejman Ramadani 42 vjeç. Sipas përfaqësuesve të qeverisë maqedonase, Ramadani ishte qëlluar rastësisht me plumb në kokë.  

NATO dhe BE janë mbledhur urgjentisht, për të diskutuar situatën. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson ka thënë, se situata kërkon përgjigje të menjëhershme, megjithatë ai ka shtuar, se ndoshta lufta në Tetovë, nuk ka lidhje me atë në Luginën e Preshevës.

Militantët shqiptarë thonë, se kërkojnë të drejta të barabarta për shqiptarët në Maqedoni. Por në Maqedoni, Serbi dhe në perëndim, po ndihen zërat se çdo gjë është e nxitur nga ndjenjat e vjetra nacionaliste, për t’i bashkuar rajonet shqiptare me Kosovën dhe më pas për të krijuar Shqipërinë e madhe./tvklan.al