Zelensky: Do të rifitojmë territorin e humbur

Rajoni lindor i Luhanskut është tani më tërësisht në duart e Rusisë pasi trupat ukrainase u tërhoqën nga Lisiçansku. Synimi rus për të marrë lindjen e Ukrainës duket se po shkon përpara teksa Presidenti Volodymir Zelensky u zotua se vendi do të rimarr mbrapsht territorin e humbur pavarësisht tërheqjes së trupave ushtarake.

“Fakti që ne mbrojmë jetën e ushtarëve tanë, popullit tonë, luan një rol po aq të rëndësishëm. Ne do të rindërtojmë muret, do të rifitojmë tokën dhe njerëzit duhet të mbrohen mbi të gjitha”.

Në krahun tjetër presidenti rus Vladimir Putin  falenderoi trupat e ushtrisë së tij për këtë fitore dhe e cilësoi momentin si historik dhe me një rëndësi të madhe për Moskën.  Tashmë fokusi i sulmit nga forcat ruse do të zhvendoset në rajonin e Donetskut.

Teksa lufta në Ukrainë ka vrarë me mijëra civilë të pafajshëm, ka sjellë edhe rrezikun e një krize ushqimore. Pas akuzave të njëpasnjëshme nga Ukraina se gruri i saj po vidhet nga forcat ruse, këtë të hënë në brigjet turke është ndaluar një anije ruse.

Tv Klan