Ndryshimet klimatike nuk kanë ndikuar vetëm në prishjen e motit, por edhe në shëndetin e njerëzve. Edhe pse aktualisht është koha e virozave të stinës, kryesisht gastrointeriteve, mjekët pohojnë së në poliklinikë ka një fluks pacientesh me ftohje dhe infeksione të ndryshme.

“Bronkitet, bronkopneumonitë, anginat apo tonsilitet…ka edhe shumë infeksione urinare. Është ndoshta ky ndryshim i temperaturës që ka krijuar një terren të përshtatshëm qoftë edhe për frekuentuesit kryesisht të plazheve, për të shfaqur këtë numër të shtuar të kësaj sëmundshmërie në këtë periudhë”, tha Bruna Shiroka, mjeke në Poliklinikën nr. 3.

Mjekët e cilësojnë të pazakontë këtë fluks, që është i ndryshëm nga ai i një viti më parë.

“Ajo që presim nga ky sezon janë kryesisht virozat e traktit tretës, pra interovirozat, por në këto ditë, në këtë javë, ky trend i këtyre patologjive ka rënë.”

Ashtu si të rriturit edhe fëmijët kanë të njëjtat problematika. Bronkopneumonitë zënë numrin më të madh të rasteve në pediatri.

Tv Klan