Asnjë surprizë në sfidat e fazës së 1/8 të Kupës së Shqipërisë për Partizanin dhe Skënderbeun. Të dy ekipet siguruan fitoret në ndeshjet e para. Partizani mundi me rezultatin  4 – 2 Kastriotin në Fushë Krujë. Kjo përballje nisi me thuajse 20 minuta vonesë, pasi në stadium mungonte ambulanca.

Krutanët shënuan të parët me Vatnikajn, po reagimi i Partizanit nuk vonoi duke e mbyllur në avantazh pjesën e parë falë golave të Hebajt dhe Mensah. Në të dytën Trashi realizoi përsëri për të kuqtë, ndërsa për vendasit ishte Sehu, i cili u përpoq të ndryshonte diçka me golin e tij.

Hebaj mbylli gjithçka me golin e katërt për Partizanin. Fitore edhe për Skënderbeun, 2 – 1 ndaj Besëlidhjes në Lezhë. Ekipi korçar realizoi me Otto John pas disa minutash lojë, por pjesa e parë u mbyll në barazim me golin e Camarra. Gripshi me golin e tij në pjesën e dytë vendosi fitoren e Skënderbeut. Ndeshjet e kthimit në fillim të muajit Shkurt do të vendosin ekipet çerekfinalistë.

Tv Klan