Medalje ari për atletin Izmir Smajlaj

Dy medalje ari dhe një bronzi për atletikën shqiptare në Kampionatin Ballkanik të salla vetë mbyllura, event që u zhvillua në Stamboll të Turqisë. Atletja Luiza Gega triumfoi në disiplinën e saj të preferuar, 3000 metra me pengesa, duke dhënë kohën 8’ 55” 45 dhe duke marrë medaljen e artë.

Kjo është hera e shtatë në karrierë që Luiza Gega shpallet kampione e Ballkanit. Por një ditë më pas, po në Stamboll, por kësaj here për Kupën e këtij qyteti, Gega ka garuar në 1500 metra dhe është renditur e para. Një garë që ka pasur edhe një incident, pasi një atlete turke tentoi në disa raste ta pengonte Gegën duke i zënë korsinë, madje në një monment duket se ka dashur ta mbajë edhe nga dora për të ndaluar shqiptaren.

Vetë presidenti I federatës së atletikës turke i ka kërkuar ndjesë atletes sonë për këtë veprim.

Në kërcim së gjati ka triumfuar atleti shkodran Izmir Smajlaj, që arriti distancën 7.91 metra, rezultat që i dha të artën. Një paraqitje shumë e mirë e Smajlaj, që duket se ka lënë pas dëmtimin dhe është gati për eventet kualikuese për Olimpiadën e “Tokio 2020”. Smajlaj përmirësoi me 1 cm rezultatin për këtë vit.

Shumë mirë u paraqit edhe atleti David Nikolli, i klasifikuar në vendin e tretë në garën e 1500 metrave. Atleti kuqezi mori medalje bronzi në këtë Ballkaniadë. Nikolli më 27 Janar theu rekordin kombëtar në Ankona, duke dhënë rezultatin 3’ 43” 48.

Tv Klan