Impenjimet e sportit ishin arsyeja pse Luiza Gega la spektaklin “Dance Albania” në natën e tretë. Në intervistën për “Rudina” në Tv Klan, kampionia e Europës zbulon konkretisht axhendën sportive që e pret. Mes tyre, është edhe ambicia e madhe për të qenë pjesë e evenimentit më prestigjioz të sportit.

Rudina Magjistari: Cili është plani më i afërt në lidhje me sportin aktualisht?

Luiza Gega: Unë në fakt kam disa aktivitete të vogla që iki që këtë fundjavë, kryesisht në Itali sepse duke qenë se tashmë jam kampione Europe, kam shumë ftesa. Shumë vende duan të më kenë aty dhe sigurisht për këtë vlerësohem, por që nuk janë kaq të rëndësishme, thjesht janë disa çmime që patjetër më interesojnë sepse jam lodhur shumë për t’i fituar ato. Në muajin Nëntor nisem për në Kenia ku ju e dini që unë prej vitesh kryej fazën përgatitore.

Në Kenia e presin 5 javë intensive stërvitjeje të cilat do e përgatisin për një verë të ngjeshur. Ngjarja më e madhe ku synon të mos mungojë do të jetë në vitin 2024.

Luiza Gega: Fokusi im, objektivi më i madh, më i rëndësishëm mund të them janë Lojërat Olimpike Paris 2024. Ai është objektivi më i madh dhe i largët pse unë kam fokus kaq të madh që tani që çdo hap që afrohem, të jetë sa më afër atij objektivi sepse patjetër që Lojërat Olimpike janë evenimenti më i madh në historinë e sportit dhe i gjithë fokusi, mundi i shumë sportistëve është të jenë aty dhe të japin më të mirën e tyre. Unë në Lojërat Olimpike të Tokës munda që të jem finaliste, kështu që në Paris dua të kërkoj diçka më shumë./tvklan.al