Vetëm pak orë pasi zyrtarizoi largimin nga Real Madrid, e ardhmja e Luka Modriç duket se është përcaktuar. Mesfushori kroat besohet se ka arritur akordin me Inter Miami.

Skuadra amerikane e ka pasur prej kohësh në shenjestër 39-vjeçarin, kjo edhe pas kërkesës së Lionel Messit. Ky i fundit e ka shndërruar Modriç në lojtarin shumë të dëshiruar për sezonin e ardhshëm dhe si një futbollist që do transformonte totalisht skuadrën.

Firma besohet të mbërrijë pas Botërorit të Klubeve ku skadon edhe kontrata me Real Madrid. Ish-fituesi i Topit të Artë do nënshkruante për një vit, të paktën deri në verën e ardhshme për të qenë gati edhe për Kroacinë në Kupën e Botës 2026. Nga marrëveshja në tokën amerikane, Modriç besohet se do përfitojë të paktën 2.5 milionë Dollarë në një sezon.

Në moshën 39-vjeçare, Modric ka pasur më pak rol protagonisti nën drejtimin e Carlo Ancelottit. Edhe pse largimi i tij nga Real Madridi shënon fundin e një epoke ikonike, tërheqja për t’u bashkuar me projektin e David Beckham te Inter Miami duket gjithnjë e më e fortë. Modric do t’i bashkohej Lionel Messit, Luis Suárez, Sergio Busquetsit dhe Jordi Albës në një projekt me lojtarë yje. 

Klan News