“Nuk mund ta ketë bërë Putin këtë punë”
Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko e kishte ndjesinë se kreu i Wagnerit, Jevgeni Prigozhin do të vritej.
“I telefonova për të negociuar kur po marshonin drejt Moskës dhe i thashë “Zhenja kujdes, do vrasësh njerëz por do vdesësh edhe vetë. Ndërsa herën e dytë kur më vizitoi bashku me Utkinin i dhashë një paralajmërim të fortë “Djema, bëni kujdes”.
Lukashenko nuk e sqaron pse ndjesinë e paska pasur kaq të përpiktë për dy drejtuesit e lartë të Wagnerit që humbën jetën të Mërkurën, por duke qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Vladimir Putinit e duke e njohur mirë atë, shpreh bindjen se pavarësisht dyshimeve, Shefi i Kremlinit nuk ka dorë në këtë ngjarje.
“Se kush e bëri këtë, nuk di të them, por kurrsesi nuk e imagjinoj që ta ketë bërë Putini. Kjo është një punë shumë e trashë, aspak profesionale.”
Presidenti bjellorus, megjithatë garanton se grupi Wanger, që stërvitet edhe në territorin e vendit të tij, do të vazhdojë të ekzistojë po kaq i fuqishëm. Ndërsa analistët janë të mendimit se vdekja e dy krerëve të grupit mercenar famëkeq dëmton interesat e Rusisë në Ukrainë apo në vendet afrikane, ku Wagner ishte shumë aktiv javët e fundit.
Tv Klan