Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko ka folur për herë të parë pasi avioni i pasagjerëve Ryanair u mor peng dhe u detyrua të bënte ulje në aeroportin e Bjellorusisë për të arrestuar një gazetar që ndodhej në bordin e aeroplanit.

Lukashenko sulmoi Fuqitë Perëndimore, për të cilat tha se po përpiqen që të godasin Bjellorusinë. Në fjalën e tij ai tha se sulmet ndaj vendit të tij e kanë kaluar “vijën e kuqe”.

“Siç e parashikuam, keqdashësit brenda dhe jashtë vendit kanë ndryshuar metodat e tyre për të sulmuar shtetin. Ata kanë kapërcyer shumë vija të kuqe dhe kanë kapërcyer gjithashtu kufijtë e arsyes dhe moralit njerëzor”, tha ai.

Duke komentuar alarmin për bombë në aeroplanin e kompanisë Ryanair, që u bë shkas për uljen e detyruar të avionit në Bjellorusi, tha se ky njoftim erdhi nga Zvicra dhe mohoi që të ishte urdhëruar prej tij.

Lukashenko e quajti gjithashtu gënjeshtër faktin që aeroplanë luftarakë bjellorusë shoqëruan avionin e pasagjerëve për të bërë ulje të detyruar. Por Bashkimi Europian ka bllokuar të gjitha fluturimet me Bjellorusinë pas incidentit të së dielës.

Çfarë ndodhi 3 ditë më parë? Autoritetet bjelloruse detyruan një aeroplan pasagjerësh që po udhëtonte drejt kryeqytetit të Lituanisë që të bënte ulje të detyruar në Bjellorusi. Ata njoftuan se në aeroplan ka alarm për bombë dhe avioni bëri ulje të detyruar në Minsk.

Sapo zbriti në pistë, policia bjelloruse arrestoi blogerin Raman Prataseviç dhe të dashurën e tij Sofia Sapega. Prataseviç është një zë kritik i regjimit të Lukashenkos. Ai po udhëtonte nga Greqia drejt Lituanisë. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar lirimin e gazetarit. /tvklan.al