Fiton mbi 80% të votave, shpërthejnë protestat e dhunshme

Në Minsk dhe 30 qytete të tjera të Bjellorusisë shpërthyen protesta të dhunshme anti-qeveritare pas mbylljes së kutive të votimit për zgjedhjet presidenciale.

Deri më tani flitet për 1 të vdekur dhe disa të plagosur, teksa ka dyshime se qeveria ka bllokuar internetin për të penguar organizimin e grumbullimeve. Dhuna shpërtheu pas shpalljes së fitores mëse të pritshme të Aleksandër Lukashenkos.

Ai do të drejtojë vendin edhe për 5 vitet e ardhshme, duke qenë figura e vetme që bjellorusët kanë parë si në krye të shtetit prej 26 vitesh, që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Rezultatet paraprake e nxjerrin atë fitues me mbi 80% të votave.

Por rivalja e tij kryesore Svetlana Tikanovskaja foli për të tjera shifra pas mbylljes së kutive të votimit. Ajo shpalli fitoren duke publikuar të dhëna nga shumica e qendrave të votimit që tregonin epërsi, ndaj presidentit aktual.

Rezultatet e disa sondazheve, por edhe pjesëmarrja masive në protestat e orëve të fundit, tregojnë se fitorja e 80% të votave nuk është rezultat real për Lukashenkon.

I konsideruar si diktatori i fundit i Europës, Lukashenko paralajmëroi gjatë fushatës elektorale edhe rrezikun e një revolucioni të nxitur nga rusët, me të cilët duket se i ka ftohur marrëdhëniet vitet e fundit, duke shfaqur më tepër afeksion ndaj Bashkimit Europian.

Tv Klan