Kërcimtarët e talentuar të “Dreams House Dance Academy” janë më shumë se sa thjesht studentë që mësojnë si të kërcejnë. Ata tashmë e quajnë veten një familje të madhe me më shumë se 500 fëmijë e të rinj të të gjitha moshave që i bashkon jo vetëm dashuria për kërcimin, por edhe për njëri-tjetrin.

Ndaj, ata kanë ardhur ta përcjellin këtë në rubrikën e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan që i kushtohet emocioneve të bukura. Një grup prindërish e studentësh i shprehën në “Ka Një Mesazh Për Ty” mirënjohjen koreografit të akademisë, Anxhelo Goga.

Ata rrëfyen historitë e tyre, mënyrën si Anxhelo ka ndikuar te ta për të nxjerrë më të mirën dhe për t’i mbështetur  në momente të vështira. Nga ana tjetër, Anxhelo u shpreh se është rritur me të gjithë studentët e tij sepse ishte vetëm 15 vjeç kur nisi këtë rrugë dhe sot është 30.

Ndërkohë, të pranishmëve në sallë iu bashkua edhe grupi më i vogël i akademisë. Vajzat e vogla të veshura me kostume rozë e me lule në duar vrapuan drejt profesorit të tyre duke e ‘mbytur’ me shumë dashuri.

Dhe meqë dashuria është një ndjenjë e bukur kur e ndan me të tjerët, lulet shkuan për të gjithë publikun e pranishëm në studio. Në përfundim të kësaj, Anxhelo falenderoi edhe disa persona shumë të shtrenjtë për të.

“Realisht nuk e di në mund të gjej dot fjalët e duhura. Këtë e kam ndërtuar bashkë me vëllain tim, me Enean që shyqyr Zotit, atij nuk i jepet vetë shumë për koreografi, por për montazh, rolin e kameramanit dhe kjo na bën diçka shumë të fuqishme me njëri-tjetrin. Por e gjithë merita e gjithë kësaj gjëje që unë vërtet dua të falenderoj është mamaja ime. Ajo është vërtet heroina e gjithë kësaj gjëje. Pa të, unë nuk do isha ky që jam sot, është e gjitha merita e saj. E di që s’kam thënë asgjë, fjalë për të nuk kam, por thjesht ajo e di se çfarë unë kam për të”, tha koreografi.

Rubrika u mbyll me një koreografi të përgatitur nga studentët posaçërisht për profesorin e tyre./tvklan.al