Shkencëtarët thonë se lulëzimi i hershëm i pemëve është shenjë e ndryshimeve klimatike

Çdo vit, rrugët e kryeqytetit të Meksikës zbukurohen nga mijëra pemë xhakaranda të cilat lulëzojnë.

Ngjyrat e tyre spektakolare jo vetëm që tërheqin sytë e banorëve dhe turistëve, por edhe zogjtë, bletët dhe fluturat që gjejnë ushqim dhe strehë në to.

Megjithatë këtë vit diçka ndryshoi. Disa pemë filluan të lulëzojnë në fillim të janarit, çka ka ndezur këmbanat e alarmit mes banorëve dhe shkencëtarëve në Meksikë, aty ku pemët xhakaranda i bëjnë rrugët e qytetit shumë fotoxhenike.

Shkencëtarët si Constantino Gonzalez, një studiues në Institutin e Shkencave Atmosferike dhe Kërkimeve të Ndryshimeve Klimatike në Universitetin e Meksikës kanë filluar të zbulojnë se sa i përhapur është fenomeni i lulëzimit të hershëm, por ata tregojnë ndryshimin e klimës si të parin faktor.

“Është alarmante sepse nuk duhet të lulëzojnë në këtë periudhë. Të gjithë mund ta ndjejmë motin e ngrohtë, sepse tani, duhet të jetë me erë, me re dhe duhet të jetë shumë ftohtë. Por është shumë vapë. Mendoj se efektet e ndryshimeve klimatike po ndihen.”

Gonzalez shpjegoi se për të nxjerrë një lidhje midis ndryshimit të klimës dhe lulëzimit të hershëm të xhakarandave, ekipi i tij ka nevojë për një mostër përfaqësuese dhe për të krahasuar lulëzimin nga viti në vit.

Për ta bërë këtë, ai ka nisur të drejtojë një grup të rinjsh që mbledhin të dhëna në të gjithë qytetin.

I magjepsur nga pemët japoneze të qershisë që mbulojnë Uashingtonin, çdo pranverë, ish-presidenti meksikan Pascual Ortiz dëshironte të përsërite një peizazh të ngjashëm në kryeqytetin e vendit të tij.

Por ekspertët, i thanë atij se nuk do t’i mbijetonin klimës së butë të qytetit për një kohë të gjatë, kështu që ai vendosi që të mbilleshin pikërisht pemët e xhakarandës. Përveç bukurisë, duke u rritur në një lartësi maksimale prej 20 metrash, ato janë ideale edhe për mbrojtje nga dielli gjatë verës.

Klan News