Jemi mësuar ta shikojmë shpesh në panele televizive si inxhinieren që flet për cilësinë e ndërtesave në rastet e tërmeteve. Por sot do ta shikojmë në një rrëfim ndryshe.

Inxhinierja Luljeta Bozo ka qenë e ftuar pasditen e sotme në emisionin “Rudina” në Tv Klan. Ajo ka ardhur në studio së bashku me nusen e djalit, skenaristen Alda Bida, për të folur për raportin vjehrrë-nuse.

Zonja Bozo ka treguar takimin e saj të parë me nusen e djalit, teksa ka theksuar se asnjëherë nuk gjykon njerëzit nga përshtypja e parë.

“Hera e parë që kam parë Aldën ishin në zbor andej në Mamurras, edhe vjen Petri e sjell. Në fakt Aldën të parën e ka parë Todi, edhe më përpara se Todi halla. Petri me mua ka qenë shumë i hapur. Edhe ma thua që kam një shoqe. Shyqyr që e ke një shoqe po kur do na i sjellësh. Erdhën nga zbori që të dy. Kjo ishte njohja e parë. Unë asnjëherë nuk nisem nga përshtypja e parë. Alda ishte goxha vajzë, e bukur, e re me gjallëri me të gjitha çfarë ka rinia. Mbi të gjitha rëndësi për mua kishte që ata të dy donin njëri-tjetrin. Kjo është më e rëndësishmja, kur djali me vajzën kanë dashuri të sinqertë, kanë mirëkuptim, kanë harmoni, të gjitha të tjerat sfumohen. Nuk merret njeriu me vogëlsira”.

Sipas saj, për të patur një raport të mirë mes nuses dhe vjehrrës duhen mbajtur parasysh dy këshilla.

“Në qoftë se do që të shkosh mirë, duhet të kesh dy gjëra parasysh. Vajza që vjen në shtëpi vjen nga një familje tjetër, nga një mënyrë tjetër jetes, futet në një mjedis të ri, duhet patjetër të bëhet shumë tërheqje dhe lëshim nga ai që është më i rritur dhe më i pjekur, nga i zoti i shtëpisë. Dhe po kështu nga ana e nuses. Kur arrihet ky mirëkuptim dhe dihet ku duhet të tërhiqet njëra palë dhe pala tjetër, gjithmonë gjendet gjuha e përbashkët. Kështu që duhet ta kesh në kokë. Po e ke në kokë që të bësh sherr, për asnjë gjë bën sherr. Në atë kohë ato ishin kushtet, do jetonim bashkë. Por mirë do ishte që secili të ishte në shtëpinë e vetë”. /tvklan.al