Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se opozita do të vijojë betejën me qeverinë, të cilën e akuzon se ka minuar demokracinë në Shqipëri.

Në një konferencë shtypi nga selia blu për të komentuar raportin e OSBE për zgjedhjet e 25 Prillit, Basha u shpreh rruga nuk do të jetë e lehtë, por thotë se në këtë betejë Partia Demokratike nuk do të jetë e vetme.

Ne besojmë se Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa konsoliduar demokracinë. Ne do të intensifikojmë betejën tonë në të gjiha frontet, në të gjitha forumet. Kjo është sot betejë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë dhe as që PD mund ta përshkojë e vetme. Ne do të hedhim të gjitha hapat për një bashkëpunim intensiv me të gjitha forcat e gjalla të shoqërisë, nga sipërmarrja tek elita e mendjes shqiptare; nga të rinjtë tek fermerët, mësuesit, sigurisht në një aleancë me gazetarinë me integritet për t’u përballur me një gjendje jashtëzakonisht të rëndë, të paprecendentë në 30 vjet pluaralizëm. Pra ajo që na pret është betejë, nuk do të jetë e lehtë. Shumicës t’i japim zë dhe t’i rikthejmë vendimmarrjen”, u shpreh Lulzim Basha. /tvklan.al