Më 22 Mars të vitit të largët 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet e para demokratike në vend pas rrëzimit të regjimit komunist.

Sot, në një aktivitet të posaçëm, Lulzim Basha ka përkujtuar këtë datë që është shënjuar në historinë e Shqipërisë demokratike.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati u zotua se ai dhe Partia Demokratike do të bëjnë realitet thirrjen simbol të asaj kohe, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, duke u angazhuar për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Ka patur dhe padyshim që do të ketë vështirësi edhe në të ardhmen, por ne demokratët kemi treguar që jemi seriozë dhe këmbëngulës në ato që bëjmë. Gjatë qeverisjes tonë, ne iu mundësuam shqiptarëve lëvizjen e lirë dhe pa viza në Europë. Ne e anëtarësuam Shqipërinë në NATO. Ne e afruam vendin edhe më shumë me Bashkimin Europian ku sot për fat të keq e shohim që ky proces ka 8 vite që ka ngecuar në vend për shkak të keqqeverisjes, për shkak të një kryeministri që mendon vetëm për veten dhe për oligarkët e tij. Sot ne bashkohemi të gjithë me një mision të vetëm: ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe që e ka mbërthyer dhe që e mban peng. Sot së bashku me ju, të gjithë që jeni të pranishëm në këtë takim mbi themelet që u ngrit dhe qëndron fort kjo parti me aspiratat tuaja, me fëmijët tuaj, me fëmijët e gjithë Shqipërisë, ne do ta bëjmë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve. Ju që jeni sot në këtë takim, jeni dëshmi e gjallë dhe dëshirës për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, askush nuk na e mësoi, askush nuk j’ua mësoi shprehjen; “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Sot në këtë takim me pjesëmarrjen tuaj, në sytë tuaj, unë dhe çdo shqiptar lexojmë shpresën dhe dëshirën që t’i afrohemi sa më shumë dhe sa më shpejtë Europës. E di që të gjithë do të donit më shumë se kaq, të gjithë shqiptarët duan që ne ta përmbyllim sa më shpejt këtë mision historik që t’i bëjmë realitet ëndrrat tuaja të kahershme, ëndrrën e të gjithë shqiptarëve. Ky është angazhimi ynë, ky është angazhimi im dhe të gjithë së bashku do t’ia dalim”, tha ndër të tjera kryetari i PD, Lulzim Basha. /tvklan.al