Pas rreth 2 orësh, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbyllur protestën-marshim të opozitës. Ashtu si dhe herët e tjera, protesta përfundoi me fjalimin e kryedemokratit nga selia blu. Basha theksoi se mesazhi i protestës opozitare është sakrifikim për votën e lirë.

Ai kërkoi largimin e Kryeministrit Edi Rama, të cilin e konsideron shkaktar të krizës politike. Sipas Bashës, largimi i Kryeministrit do t’i hapë rrugë dialogut dhe krijimit të një qeveri tranzitore e cila do të organizojë zgjedhje të parakohshme.

Lulzim Basha: “Mesazhi më i qartë i shpresës që ka lindur e që nuk do të fiket deri sa beteja me të keqen të fitohet plotësisht. Çdo ditë e më shumë protestat tona bëhen më të mëdha. Bashkimi i shqiptarëve bëhet më i vendosur. Mesazhi i sotëm është mesazh i qartë dhe i prerë, ne jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë, se ne jemi popull i Europës dhe nuk do të pranojmë kurrë despotizmin anti-europian të një qeveri banditësh dhe kriminelësh të cilët kanë marrë peng vendin. Këtë betejë e nisëm për Shqipërinë si gjithë Europa. Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhjen politike, largimin e Edi Ramës, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne nuk do të pranojmë kurrë më dhunën e krimit të organizuar në kutitë e votimit. 

Shkaktari do të largohet, vetëm kjo do t’i hapë rrugë zgjidhjes politike. Tani këtë e di dhe Europa, e di bota. Rama ik, hapi rrugë zgjidhjes politike. Beteja jonë po shkon drejt fundit që paracakton historia për kombet që e nuk e pranojnë të keqen, po shkon drejt konkluzionit , drejt çlirimit të Shqipërisë nga krimi, po shkon drejt stacionit tonë për Shqipërinë si gjithë Europa. Teksa zëri ynë u dëgjua dhe bota hapi sytë, kërkesa ime është të qëndrojmë në këmbë dhe gati për ta çuar misionin tonë deri në fund”. 

Sikurse ka ndodhur herët e kaluara, pas fjalës së Lulzim Bashës protesta u përmbyll me Himnin Kombëtar. Kjo ishte protesta e 6-të kombëtare e opozitës së bashkuar. Gjatë gjithë tubimit nuk pati asnjë incident apo akte dhune nga ana e protestuesve. /tvklan.al