Listën e kandidatëve për deputetë në Tiranë do ta udhëheqë vetë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Numri 2 në listë do të jetë Jorida Tabaku që do të ndiqet nga Alfred Rushaj dhe Albana Vokshi. Në një lidhje direkte nga Selia Blu, gazetari Drini Zeqo tha për “Opinion” se për liderin historik të PD-së, Sali Berishën, është ruajtur vendi i pestë. Ish-kryeministri do të ndiqet nga Agron Shehaj.

Po ashtu, në vendet e sigurta në listën e Tiranës do të jetë kreu i Republikanëve, Fatmir Mediu, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe kreu i LSHK-së, Dashamir Shehi. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule do të jetë në vendin e 11 në listën e Tiranës.

Në listë ka emra të tjerë të njohur si Grida Duma e Flamur Noka. Po ashtu do të ketë edhe figura të televizionit si Oriela Nebiaj, por edhe të sportit si Gentian Muça, ish-futbollisti i Tiranës.

Partia Demokratike është aktualisht duke i kaluar listat në Kryesi dhe më pas do të miratohen në Këshillin Kombëtar. Afati përfundimtar për dorëzimin e listave në KQZ është mesnata e ditës së sotme. /tvklan.al