Lulzim Basha: “Lajmi i parë është goxha shqetësues. Është ai i konstatimit nga drejtoria e auditimit të brendshëm të postave shqiptare të disa parregullsive në shkelje procedurash që është edhe formulimi ligjor për momentin, të cilat kanë rezultuar në një dëm ekonomik prej 3.15 milion eurosh. Që të jemi pak më konkretë bëhet fjalë për një marrëveshje që ish drejtoresha e postave shqiptare, zonja Luiza Hoxha, ka lidhur me një kompani të huaj në kundërshtim me statutin e shoqërisë, Posta Shqiptare sh.a. Për më shumë sipas vlerësimeve të auditimit të brendshëm të postës nuk rezulton që kjo kompani të jetë e regjistruar në librin e takimeve të delegacioneve, pra nuk rezulton që të jenë bërë takime me këtë kompani. Vlera e përcaktuar nga ministria, nga ish ministria e transportit të telekomunikacionit për sasinë e shitur të kësaj kompanie 500 mijë pullash postare ishte 3.8 milion euro, ndërkohë që ish drejtoresha ka lidhur një kontratë prej 650 mijë eurosh, pra 3.15 milion euro më pak se sa vlera e pullave.”/tvklan.al