Kthimi i opozitës në Parlament në seancën e sotme nuk do të jetë i zakontë. Për herë të parë në historinë politike të Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar demokrat.

Mbrëmjen e së enjtes, kryedemokrati Lulzim Basha njoftoi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD për shkak të vendimit “non grata” që SHBA ka ndërmarrë ndaj ish-Kryeministrit.

Por pas këtij vendimi, Sali Berisha reagoi menjëherë dhe në emisionin Opinion në Tv Klan tha se Basha e kishte njoftuar 30 minuta para se të bënte publik këtë njoftim.

Berisha e akuzon Bashën se “ka shitur sovranitetin e Partisë Demokratike”. E megjithatë, ish-Kryeministri tha se do të jetë sot në Parlament pavarësisht vendimit për ta përjashtuar nga grupi parlamentar.

Kjo do të jetë edhe përballja e parë e Berishës me Lulzim Bashën disa orë pas vendimit drastik të këtij të fundit, për të përjashtuar nga partia liderin historik. /tvklan.al