Lulzim Basha: Përse ndërhyra në Opinion për të debatuar me Ramën


Lulzim Basha: Përse ndërhyra në Opinion për të debatuar me Ramën

21:22 16/10/2020

Në debatin e së enjtes në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku ishte i ftuar Kryeministri Edi Rama, në një lidhje telefonike ndërhyri kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Kryedemokrati ndërhyri në linjë në momentin që diskutohej për çështjen e inceneratorëve. Por, Lulzim Basha ka sqaruar sonte në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, përse zgjodhi të ndërhynte në lidhje telefonike për t’u përballur me Ramën.

“Për një gjë të thjeshtë. Kur ke faktet me vete, kur të drejtën me vete, pak rëndësi ka je në telefon apo je aty. Gjëja tjetër që doli dje është që kishim të bënim me një hajdut, dje morëm vesh që kemi të bëjmë me një frikacak sepse nuk pranon debatin”, theksoi kryedemokrati Lulzim Basha.

Por të ftuarit në emision shprehën mendimet e tyre nëse ndërhyrja e Lulzim Bashës ishte e drejtë ose jo. Gazetarja Ornela Liperi tha se ndërhyrja e Bashës nuk ishte e barabartë, për shkak se fliste përmes telefonit, kurse Kryeministri Edi Rama kishte prezantuar grafika në emision.

Ndërsa analisti Ervis Iljazaj e konsideroi pozitive ndërhyrjen e Lulzim Bashës, duke u shprehur se kreu i opozitës ndjek çështjet që janë me rëndësi për vendin dhe ndërhyrjen me telefonatë e vlerëson të duhur.

Nga ana tjetër, sa i përket intervistës së Edi Ramës në Opinion, Lulzim Basha e vlerëson në këtë mënyrë: “Në 30 vite nuk kemi parë një Kryeministër në siklet të tillë”. /tvklan.al





Të ngjashme