Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bërë të tre bashkë. E sipas tij, qëllimi i tyre është shkatërrimi i Partisë Demokratike.

Në një takim me anëtarë të Degës 2 të PD në Tiranë, Basha tha se njëri koordinon sulmin ndaj Partisë Demokratike, tjetri financon Foltoren dhe i treti zbaton planin për të shkatërruar PD-në.

PJESË NGA FJALA E LULZIM BASHËS:

Por kemi padiskutim edhe gabimet tona, një pjesë të përgjegjësive për ato premtime të pambajtura si fjala bie në raport me dy shtresa shumë të rëndësishme që nuk kanë ku të përplasen tjetër, nuk kanë shtëpi tjetër, janë pa shtëpi në qoftë se Partia Demokratike nuk është shtëpia dhe çatia e tyre, të përndjekurit dhe pronarët. Apo në raport edhe me çështje të tjera që i kemi marrë përsipër e nuk i kemi çuar në fund apo për të cilat kemi marrë kosto të madhe para qytetarëve, një pjesë e përgjegjësive dhe përgjegjësve qëndronin në radhët tona, jo vetëm në radhët tona se ne nuk i kemi pasur problem t’i kemi në radhët tona për sa kohë tregonin pendesë dhe për sa kohë që partia të bëhej mburojë para ligjit për ta. Në zonat informale ku na thonin “ku e keni legalizimin që na e premtuat?!”. Tek pronarët që na thonin “ku i keni pronat që na i premtuat?!” Tek të përndjekurit, tek sipërmarrja. E pra miqtë e mi, dy gjëra i dimë fare mirë: Të ndryshosh, do të thotë të përmirësosh.

Dhe të ndryshosh në mënyrë të rregullt, do të thotë t’i afrohesh perfeksionit. Ne e kemi nisur këtë ndryshim dhe jemi të vendosur ta çojmë deri në fund. Po ky ndryshim nuk mund të jetë i plotë, pa u shkëputur nga vargojtë e të shkuarës. Dhe për këtë, askush në këtë sallë nuk duhet të ketë iluzionin më të vogël. Askush jashtë kësaj salle, që shikon tek ju, ka sytë tek lidershipi i degës 2, nuk duhet të ketë, iluzionin më të vogël. Sepse në këtë moment, kur kemi thënë zgjedhim të ardhmen dhe ecim përpara, çdo hap pas, është jo thjesht gabim, por mund të jetë fatal. Jo thjesht për interesat tona si demokratë, por për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ju po e shihni, ditë pas dite, mbrëmje pas mbrëmjeje. Përballja është e qartë, në Shqipëri ka vetëm një opozitë, kundër qeverisë më të korruptuar që ka njohur vendi në 30 vite, qeverisë më të korruptuar të Ballkanit, siç e nxori prapë raporti i fundit ndërkombëtar i Transparency Internacional. Ka vetëm një opozitë dhe kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë, që është një dhe vetëm një, jo dy. Ka vetëm një opozitë garante të interesit publik që përballet me të gjitha format dhe mënyrat me të keqen. Dhe gjithë të tjerët janë bërë bashkë.

Në qoftë se kemi mësuar diçka në këto muaj, të gjithë të tjerët janë bërë bashkë me Edi Ramën. I patë mbrëmë si flasin njësoj, mbajnë të njëjtat qëndrime, përdorin të njëjtat terma, kanë të njëjtën gjuhë, i bashkon i njëjti hall, që nuk është halli i shqiptarëve, është halli i karrigeve të tyre personale, i fatit të tyre personal. Në raport me atë që i kanë hyrë në hak shqiptarëve. Njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike. Edhe ata janë bashkë, mos keni iluzione. Hiqni çdo iluzion. Janë bashkë, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike. Mos keni asnjë iluzion. Sigurisht që nuk kanë për t’ia arritur, përkundrazi, ajo që shoh dhe prek me sytë e mi, pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e ekranit, është një vendosmëri në rritje e demokratëve, një vetëdije në rritje të demokratëve. Kjo parti, quhet Partia Demokratike, ka kaluar edhe periudha të vështira, por përbëhet nga demokratë. /tvklan.al