“S’ka të drejtë morale të kërkojë një mandat tjetër”

Për Partinë Demokratike procesi i rindërtimit ka mbetur në vendnumëro dhe kur ka kaluar më shumë se 1 vit nga tërmeti ka shumë qytetarë që nuk kanë një çati mbi kokë. Në një dalje përpara mediave, kryetari i demokratëve Lulzim Basha renditi premtimet e Kryeministrit Rama për të cilat tha se nuk mbajti asnjë në 8 vite.

“300 mijë vende punë, shëndetësi falas, legalizime falas, uljen e taksave për 97% të qytetarëve, heqjen e TVSH-së për bukën, për vezët, për qumështin, uljen e kostos së jetesës e shumë e shumë të tjera. Por nuk janë nëntë, janë dhjetëra, qindra premtime që Edi Rama ka bërë dhe të cilat nuk i ka mbajtur”.

Basha tha se Rama nuk ka të drejtë të kërkojë një mandat tjetër në qeveri.

“Një Kryeministër që nuk i mban premtimet me të cilat vjen në pushtet nuk ka të drejtën morale të kërkojë një mandat tjetër. Tani jo vetëm që nuk ka kërkuar falje që s’ka mbajtur asnjë premtim të vetëm, asnjë premtim të vetëm në 8 vite ku i ka pasur të gjitha pushtetet, por tani vjen me të tjera premtime boshe. Vetëm propagandë, asnjë premtim të mbajtur”.

Basha shprehet i bindur se në 25 Prill Rama do të humbë sepse sipas tij shqiptarët nuk e besojnë më.

Tv Klan