Vëmendja e qeverisë nuk ka munguar as ndaj komunave më të thella të vendit siç është ajo e Poraçanit, tha ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha. Duke kujtuar se në më pak se 4 vjet kjo komunë ka marrë 560 milion lekë investime, ku janë ndërtuar 3 ambulanca, 4 ujësjellës, shkolla etj.

Ministri Basha mori pjesë në inaugurimin e shkollë së re të komunës Poraçan, një investim prej 260 milion lekësh. Modeli i kësaj mazhorance tha ministri Basha, është ai i ndërtimit dhe zhvillimit të çdo zone të vendit. Ndërsa modeli që ofron Rama nuk arrin të ndërtojë as shkollat në qendër të Tiranës.

Lulzim Basha: “Cilat janë veçoritë e këtyre modeleve njëri ndërton shkollën në Poraçan, tjetri nuk e ndërton as në Tiranë sepse interesi ynë, sepse këmbëngulja jonë, sepse përkushtimi jonë është ndaj poraçanakëve, qytetarëve të Shqipërisë dhe jo ndaj 15% e 20% që kryetari i bashkisë së Tiranës nuk e nxjerr dot kur ndërton shkolla publike dhe prandaj si ndërton ato.”

Ministri Basha shprehu bindjen se qytetarët shqiptarë do dinë të vlerësojnë më 28 qershor mes alternativës së zhvillimit dhe integrimit dhe asaj të aferave korruptive dhe në shërbim të interesave të ngushta të një grupi biznesmenësh që ofron modeli Rama./tvklan.al