Gjatë intervistës me moderatorin Ardit Gjebrea tek rubrika “Gjysma ime” tek E Diela Shqiptare, Lulzim Basha ka treguar një bisede me vajzën e tij të madhe Dafinën, që kanë bërë bashkë kur ajo ishte 4-5 vjeç. Fjalët e së bijës i kanë ngelur peng dhe e kanë mërzitur shumë që aq e vogël sa ishte, e kuptonte që babai i saj ishte i famshëm dhe kur shkonin njerëzit që e puthnin ajo ishte e vetëdijshme që e bënin sepse ishte vajza e tij.

“Unë mbaj këtë episod me Dafinën kur ka qenë 4 ose 5 vjeç. Po ecnim përdore në bregdet në Qerret, një 4-vjeçare shumë e bukur, bardhoshe, vdisja të kaloja kohë me të. Ne ishim në qeveri dhe duke kaluar na ndalonin njerëzit, pavarësisht se unë përpiqesha të mos na ndalonin dhe i puthnin faqet, që i kishe shumë të mira dhe të ëmbla dhe kjo mërzitet dhe më thotë ba hajde ikim se u mërzita gjithë këta njerëz. I thashë po pse se këta vijnë të të puthin faqet se je kaq e bukur, kaq e mirë, jo tha këta më puthin faqet se ti je i famshëm. Më goditi në zemër.

Që një 4 apo 5-vjeçare që të thotë këtë gjë do të thotë që e ka perceptuar këtë dhe thashë që ky është momenti apo shpejt do ulem me gocën time dhe t’i flas pak, të fillojë të kuptojë sepse këto janë vite ku formohet karakteri i një njeriu. Sepse në këtë moshë 4-vjeçare më thotë mua më trajtojnë kështu se jam goca jote dhe ti je i famshëm, ka ardhur koha t’i shpjegosh diçka se me çfarë merret babai jot. Isha shumë i mërzitur, ia tregova si muhabet Aurelës dhe më është dashur të ulem me të dhe ti them që shiko, unë kam mundësinë që të bëj disa gjëra sepse më tha ti nuk rri me mua mjaftueshëm, siç rrinë të tjerët domethënë e kishte ndjerë mungesën.

I thashë kjo është një punë që unë bëj gjëra që ndihmoj të tjerët, për shembull fëmijët që nuk kanë kaq shumë lodra sa ke ti, që të kenë dhe ato lodra, apo ka dhe fëmijë që kanë probleme me ushqimin, më tha pse nuk i duan prindërit? I thashë i duan prindërit, por ndonjë nga prindërit nuk ka punë, duhet t’i gjejmë ne punë dhe përpiqemi t’i ndihmojmë. Reagimi i parë ishte prekës, erdhi në mëngjes dhe më solli një gjirafë dhe më tha ja ta solla, çoja dikujt që s’ka lodra”, ka rrëfyer Basha.  /tvklan.al