Lulzim Basha thotë se ka në prioritet e tij fuqizimin e biznesit të vogël, hapjen e bizneseve kryesisht nga të rinjtë e punësimin e tyre si dhe mbështetjen e bujqësisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale pasi takoi drejtuesit e Shoqatës Mikrofinancaa Shqiptare, Basha shprehet se programi ekonomik i PD-së ka në fokus uljen e barrës fiskale, mbështetjen me subvencione të fermerit etj.

Kreu i PD-së thotë se planifikon që të japë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Krijimi i mundësive për të hapur një biznes, fuqizimi i bizneseve të vogla, rritja e mundësive për punësim është një nga synimet kryesore të Partisë Demokratike. Në planin tonë, ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë. Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për bizneset e vogla, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eliminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lirë e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar”, shkruan Basha.

Ndër të tjera, ai thotë se për shkak të krizës së rëndë që po kalon vendi dhe rritjes së taksave është bërë i vështirë suksesi i bizneseve të konsoliduara, ndërsa për hapjen e bizneseve të reja thotë se është bërë e pamundur./tvklan.al