“Nuk kam asnjë pronë të paluajtshme”

Një ditë pasi Operacioni Forca e Ligjit i kërkoi me shkrim Lulzim Berishës të justifikonte pasuritë, zbardhet përgjigja e tij drejtuar kësaj strukture dhënë brenda afatit prej 48 orësh.

Sipas deklaratës të siguruar nga Televizioni Klan, Lulzim Berisha thotë se është aksioner në masën 40 për qind të shoqërisë Rajan 2007, e cila furnizon me karburant anijet e peshkimit që operojnë në vijën bregdetare, si dhe 2 autobote.

Gjithashtu ai ka në pronësi një bar kafe që e ka lëshuar me qira dhe një automjet.

Berisha ka siguruar një dokument nga Kadastra e Durrësit, ku vërtetohet sipas tij, se nuk ka asnjë pronë të paluajtshme.

Në përgjigjen e kthyer Operacionit Forca e ligjit, Berisha thotë se pasuritë e tjera që posedonte, i janë sekuestruar nga gjykata në vitin 2009.

Në kërkesën drejtuar Berishës, OFL-së theksonte se Lulzim Berisha në 2012 u dënua me burgim përjetë për trafik droge pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal, por në 2016 Apeli i Durrësit e liroi me kusht. Për këtë arsye kërkoi prej që brenda 48 orësh të justifikonte pasuritë që kishte.

Tashmë Operacioni Forca e Ligjit pritet të dorëzojë të gjitha dokumentet e mbledhura në SPAK. Kjo strukturë brenda 15 ditëve duhet të shqyrtojë kërkesën dhe t’ia dërgojë gjykatës, e cila ka gjithashtu 15 ditë kohë për të marrë vendim nëse duhet dhënë ose jo masë sekuestroje për pasuritë e Berishës.

Tv Klan