Lumenjtë në Shqipëri janë më të ndoturit në Europë. Ky është konkluzioni i raportit të fundit të monitorimit të Bashkimit Europian, ku theksohet se lumenjtë e vendit tonë ka një ndotje të lartë organike dhe përqendrim shumë të madh të fosfateve dhe kimikateve. Vlerat e larta të Kërkesës Biokimike të Oksigjenit (BOD) janë një shenjë e ndotjes organike, e cila ndikon në cilësinë e ujit. Lumenjtë tanë sipas matjeve u gjetën me nivelin me të lartë të biokimikatëve dhe tregon për ndotje alarmante nga substancat organike.

Në një litër ujë ka 6.80 miligramë biokimikate, niveli më i lartë në Europë dhe me një diferencë të madhe nga Rumania, me 3,5 miligramë për një litër ujë, dhe Maqedonia e Veriut e cila e ka nivelin 3,1 mg. Lumenjtë më të pastër i kanë vlerat nën 1 miligram për litër. Lumenjtë e ndotur në nivel mesatar dhe ata shumë të ndotur tregojnë vlera që variojnë nga 2 deri në 8 mg/L.

Gjithashtu, Shqipëria paraqitet edhe me nivelin më të lartë fosfateve në lumenj, që rezulton sa dyfishi i mesatares në lumenjtë europiane. Përqendrimet e larta të fosfatit dëmtojnë cilësinë e ujit, duke nxitur rritjen e makrofiteve dhe algave.

Lumenjtë shqiptarë i kanë ujërat e ndotura për shkak se në to rrjedhin lirshëm të gjitha llojet e mbetjeve, duke përfshire edhe ato industriale. Sipas raportit të Eurostat, burimet kryesore të ndotjes janë bujqësia, ku përfshihen plehrat kimike që përdoren dhe mbeturinat e kafshëve, si dhe ujërave e zeza të cilat nuk trajtohen si duhet.

Madje në këtë raport ngrihet si problematikë më vete trajtimi i ujërave të zeza.

Dhe theksohet se ato lëshohen pa u trajtuar në tokë, në det ose lumenj, duke u kthyer në një rrezik për shëndetin.

Në katër nga pesë vendet e që aderojnë të bëhen pjesë e BE përqindja e popullsisë e lidhur me sistemet e trajtimit të ujërave të zeza urbane është relativisht e ulët, duke filluar nga 1% në Kosovë në 22% në Bosnjë dhe Hercegovinë. Shqipëria ishte në nivelin 13.3%. Përjashtim përbën Turqia, ku kjo e dhënë rezulton në masën 71%.

Klan Plus