Skandal në Rrogozhinë, plehrat shkarkohen në Shkumbin

Këto janë pamjet e shumë lumenjve në Shqipëri. Qese dhe mbetje të tjera kanë përfunduar këtu pasi janë hedhur nga banorët ne natyre. Për të frenuar këtë situatë, Ministria e Mjedisit hartoi edhe një projektligj për ndalimin tërësisht të përdorimit dhe prodhimit të qeseve plastike. Ndërsa në Kodin Penal, ata që hedhin mbetjet në natyrë tashmë dënohen edhe me burg. Por çfarë ka zgjidhur kjo?

Ndërsa qeveria përpiqet të disiplinojë qytetarët e paedukatë, janë vetë institucionet që hedhin mbeturinat në lumë. Ky vend, në breg të lumit Shkumbin, është pikërisht landfilli i Rrogozhinës. Mund të jetë qyteti i vetëm në Europë që për landfill përdor lumin që i kalon pranë. Kompania që përgjigjet për pastrimin e qytetit të Rrogozhinës është Viola Green.

Pak ditë më parë Inspektorati i Menaxhimit të Territorit e gjobiti atë me 2 milionë lekë pikërisht për këtë veprim. Por duket se në Rrogozhinë kjo gjobë nuk e zgjidh problemin, pasi problemi fillon më herët. Qyteti, prej kohësh nuk ka patur një vend depozitimi për mbetjet, dhe për këtë ka përdorur dhe përdor pikërisht lumin Shkumbin, i cili thjeshtë i transporton ato në det që është vetëm pak kilometra larg që këtu.

Për këtë zonë të ndotur në breg të lumit, bashkia thotë se ka një projekt tjetër, por ka nevojë për fonde që ta transformojë.

Bashkia Rrogozhinë, e cila nuk ka ende një vend zyrtar dhe legal të depozitimit të mbetjeve, menaxhon dy zona turistike shumë të frekuentuara, atë të Spillesë dhe të Vila Bashtovës, zona që janë ndër më të ndotura në vend pikërisht nga mbetjet që shkarkon në det lumi Shkumbin.

Që prej vitit 2011, Shqipëria ka një ligj për menaxhimin e integruar të mbetjeve, që detyron ndarjen e mbetjeve në burim, në mënyrë të diferencuar, dhe riciklimin e tyre. Por ende në 60% të territorit mbetjet urbane nuk mblidhen fare dhe në zonat rurale ato përfundojnë nëpër përrenj e lumenj.

Klan Plus