India, epiqendra e pandemisë globale

Me dhjetëra trupa të pajetë dolën në breg të lumit Ganges në veri të Indisë, në një kohë kur ky shtet po përballet me valën e dytë të Covid.

Sipas asaj që shkruan BBC, përgjatë ditëve të fundit janë zbuluar më shumë se 50 trupa në Gahmar, Uttar Pradesh. Të hënën, më shumë se 40 trupa u nxorën nga lumi, rreth 55 kilometra nga rrjedha e Gahmar.

Sesi kanë përfunduar këto trupa aty nuk është e qartë, por besohet se ata janë viktima të Covid-19. Identitetet e tyre nuk dihen ende. Të martën, një gazetar lokal i tha BBC se prej disa ditësh trupat po dalin në argjinaturat në fshatin Gahmar.

Banorët e zonës thanë se prej ditësh ishin ankuar për erën, por sipas tyre autoritetet u vunë në lëvizje vetëm pasi dëgjuan në media për daljen në sipërfaqe të trupave në shtetin e Bihar të hënën.

Policia në Gahmar po i tërheq trupat me shkopinj. Rreth 30 trupa të dekompozuar janë nxjerrë nga uji dhe janë djeguar deri në mesnatë.

Autoritetet vendore thanë se kanë nisur hetimet për të zbuluar sesi përfunduan trupat aty.

Të hënën zyrtarët konfirmuan se të paktën 40 trupa kishin dalë në breg të lumit Buxar, që ndodhet në kufi mes shteteve Bihar dhe Uttar Pradesh.

Disa media vendase raportojnë për më shumë se 100 trupa dhe sugjerojnë se viktimat janë hedhur aty prej disa ditësh.

Vala e dytë e virusit ka përfshirë shumë pjesë të Indisë, duke sjellë një numër të madh viktimash gjatë javëve të fundit. Pjesa më e madhe e krematoriumeve nuk kanë më vende.

Tanimë ky shtet është epiqendra e pandemisë globale dhe ka regjistruar më shumë se 22 milionë raste dhe 249,992 vdekje. Megjithatë, ekspertët besojnë se numri real i vdekjeve mund të jetë shumë herë më i lartë./tvklan.al