Devijohen makinat, më shumë hapësira pedonale

Projekti për vijimin e Lungomares përtej tunelit të Ujit të Ftohtë të Vlorës deri në qytezën e Orikumit do të përfundojë përpara nisjes së sezonit turistik.

Ashtu si dhe në segmentet e tjera që nisin nga zona e Skelës, edhe pjesa e tretë e projektit të Lungomares do të jetë pedonalja prej 5 metrash për këmbësoret, korsia e biçikletave, pjesën e gjelbëruar si dhe pasarela në det që janë ndërtuar për të krijuar mundësi dhe për zgjerimin e zonës së plazhit.

Gjatë inspektimit të punimeve së bashku me kryebashkiakun e Vlorës, kryeministri nuk ka harruar të japë këshilla për zbatuesit e projektit që të përfshihen dhe shijet e tij estetike në ngjyrat që do të përdoren për struktura të caktuara anash rrugës.

Kreu i qeverisë nuk ngurruar të shkëmbejë edhe batuta me qytetarët vlonjatë të cilët e ftuan që të provojë detin edhe pse është ende Mars.

Në Orikum është duke u zbatuar dhe projekti për dy segmentet e një bypass-i të ri, i cili parashikon devijimin e makinave në dy zona të rrugës ekzistuese të cilat do të kthehen në pedonale për këmbësorët.

Tv Klan