rrogozhinePas aksit Fushë-Krujë – Lezhë, autostrada Lushnje -Rrogozhinë është segmenti nacional me numrin më të madh të aksidenteve me pasojë humbjen e jetëve të këmbësorëve në Shqipëri.

Mbrëmjen e djeshme listës iu shtua një tjetër viktimë. Një 55- vjeçar, banor i Golemit i cili kureshtar për të parë kufomën e një 45- vjeçari i gjetur në një kanal i dekompozuar në afërsi të autostradës, në tentativë për ta kaluar rrugën me shpejtësi u përplas nga një makinë dhe humbi jetën.

Rasti i natës së të mërkurës nuk është i vetmi. Sipas statistikave të policisë së qarkullimit rrugor në Lushnje, në autostradën Lushnje – Rrogozhinë për vitin 2014 kanë humbur jetën 20 persona nga të cilët 10 janë këmbësorë.

Mungesa e një mbikalimi apo nënkalimi i bën banorët e këtyre zonave të zgjedhin rrugën më të shkurtër, por dhe më të rrezikshme.

Pranë fshatit Golem, udhëtarët qëndrojnë në pritje të marrjes se ndonjë furgoni, kalojnë trafikndarësen duke hipur mbi të, si edhe vrapojnë përmes korsive të makinave.

Kështu vepruan edhe disa familjarë të cilët ishin në Golem për të përcjellë në varreza viktimën e aksidentit të mbrëmshëm.

Banorët thonë se nuk u duhen pemët e mbjella apo vijëzimet në rrugë, ata kërkojnë një vend më të sigurt për të kaluar autostradën.

Nga Lushnja në Rrogozhinë, autostrada prej 18 km ka vetëm një nënkalim në Dushk dhe një tjetër në Golem.

Tv Klan