Mijëra besimtarë vizitojnë vendin e shenjtë

Një aksident me makinë në moshën 20-vjeçare e ka lënë të paralizuar Artanin prej më shumë se 20 vitesh. Ai nuk pret mrekulli, por është falenderues për jetën, ndaj shpesh shkon në vende të shenjta siç është edhe Kisha e Shna Ndout në Laç.

“Nuk pres të eci, po ndihem mirë kur vij këtu”, thotë ai.

Pelegrinazhi i 13 të martave është përmbyllur me mijëra lutje në festën e Shna Ndout. Besimtarët të ardhur nga qytete të ndryshme përmes ndezjes së qirinjve kërkojnë më shumë shëndet dhe ndihmë për familjet e tyre.

“Kam ardhur nga Greqia vetëm për të ndezur qiri për djalin tim, vetëm një djalë kam”.

“Vij çdo vit, më ka shkuar mbarë sa herë vij”.

I njohur si vendi i mrekullive, besimtarë të religjioneve të ndryshme në emër të sakrificës me lutje dhe falenderime kalojnë nëpër rrugët ku mendohet të ketë shkelur i shenjti Shën Antoni i Padovës. Nga fëmijët e deri tek moshat e treta, të panumërt janë besimtarët që e vizitojnë Kishën në Laç.

Tv Klan