“Ju lutemi lutuni për ne, ju lutemi lutuni për ne të gjithë, unë dhe foshnja ime, kemi ngecur këtu. Kemi vetëm këtë shtëpi, nuk kemi ku të shkojmë”. Kjo është një nga shumë zërat që lutën pas uraganit “Dorian” që ka goditur ishujt Bahamas.

“Gjithçka është shkatërruar, shtëpitë janë rrëzuar, ne thjesht po qëndrojmë në një cep“, ka thënë një tjetër banor.

Uragani “Dorian” i kategorisë së pestë po shkarkon gjithë zemërimin e tij. Stuhia më e fuqishme që godet ishujt Karaibe që prej fillimi të regjistrimit të të dhënave, shkuli çatitë e godinave dhe solli përmbytje të rënda.

Ishulli i parë i prekur nga stuhia ishte Abako, i cili u zhyt në ujë nga dallgët deri në 7 metra lartësi.  Uji mbuloi makinat dhe la banesat pa çati.

Florida, Georgia, dhe dy Karolinat kanë shpallur gjendjen e emergjencës. Gjithashtu raportohet se është ndërprerë energjia elektrike dhe interneti në rreth qindra ishuj të vendit. /tvklan.al