Partitë mbeten në pritje të rezultatit përfundimtar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri ka arritur të rinumërojë mbi 50% të vendvotimeve. Pritet që ky proces të përfundojë në fillim të javës së ardhshme.

Ndërsa Nisma për Kosovën, sipas Ismet Krasniqit nga Demokracia në Veprim, që është marrë me vëzhgimin e procesit zgjedhor, aktualisht ka vetëm 21 vota mbi pragun zgjedhor. Ndërkohë LVV e LDK nuk po vazhdojnë takimet e tyre pa u certifikuar rezultatet.

Të dyja palët nuk kanë pranuar të flasin për mediat. Zyrtarë të LDK-së thonë se po presin certifikimin e rezultateve, e ata të LVV-së thonë se po e respektojnë këtë qëndrim të LDK-së.

Në rast të hyrjes së koalicionit Nisma-AKR në Kuvend, të dyja këto parti refuzojnë të bashkëqeverisin me këtë koalicion, edhe pse tashmë bashkë nuk arrijnë të kenë 61 deputetë, por mbeten me 57.

Edhe analisti Armend Muja thotë se koalicioni Nisma AKR duhet të qëndrojë në opozitë.

“Unë mendoj që këtë herë ka pas mesazh që qeverisja duhet të jetë e re dhe qëndrimi i sovranit të Kosovës ka qenë që t’ia japin mandatin opozitës. Në këtë rast Nisma duhet të tërhiqet nga procesi, sepse nuk ka logjikë që të hyjë në qeveri”.

LVV-ja tashmë ka zyrtarizuar se në grupin e saj parlamentar do të ketë deputetin e partisë egjiptiane, IRDK, Elbert Krasniqi. Megjithatë do t’i duhen edhe 3 vota të tjera për të arritur shumicën.

Këto dy parti mësohet se janë të interesuar të marrin në koalicion partitë e komunitetit jo serb, por jo edhe të Listës Serbe.

Tv Klan