LDK humb bastionin pas 20 vitesh

Pas 20 vjet qeverisje, LDK-ja humb një ndër bastionet më të rëndësishme të saj, Podujevën. Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, fitues i zgjedhjeve të parakohshme është Shpejtim Bulliqi, i Lëvizjes Vetëvendosje, me 51.64 përqind të votave.

Kandidati i LDK-së ka arritur të marrë 35.97 % të votave, pasuar nga kandidati i PDK-së, me 12.40%.

Në bazë të këtyre rezultateve, në Mitrovicën e Veriut fitues është kandidati i Listës Serbe, me 89,86% të votave, ndërsa kundërkandidatët e tij nga LVV dhe PDK morën 3.54 respektivisht 2.92% të votave.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka pranuar humbjen, duke thënë se ky është vendim i sovranit, por shpreson se LDK do të rikthehet në zgjedhjet e radhës.

Podujeva dhe Mitrovica e Veriut kanë mbajtur sot zgjedhjet e parakohshme pasi kishin dhënë dorëheqje kryetarët e këtyre dy komunave për shkak të posteve që kishin marrë në qeveri. Zgjedhjet e përgjithshme lokale në Kosovë parashihet të mbahen në vitin 2021.

Tv Klan