“Kemi gjetur kompromisin për ngërçin mes Shkupit dhe Sofjes”

Në ditën e fundit të presidencës franceze të Bashkimit Europian, Presidenti Emmanuel Macron ka njoftuar arritjen e një kompromisi që i jep fund ngërçit mes Shkupit dhe Sofjes dhe i hap rrugë çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Duke folur nga Spanja ku mori pjesë në Samitin e NATO-s, Macron u shpreh i bindur se pas negociatave të zhvilluara orët e fundit është gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja vendet.

“Mund të them se është gjetur një kompromis që është në përputhje me të dyja palët dhe besoj se është i pranueshëm. Presidenti dhe kryeministri bullgar tashmë e kanë mbështetur propozimin francez dhe do të ketë diskutime në ditët në vijim në Shkup”.

I menjëhershëm ishte reagimi i Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel i cili ka përshëndetur propozimin duke thënë se vendi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Europian.

“Mirëpresim angazhimin e vendosur të presidencës franceze për të arritur një zgjidhje të pranueshme reciproke. Asnjëherë nuk kemi qenë kaq afër. Tani është momenti të thuhet Po”.

Edhe qeveria e Shkupit konfirmoi se ka marrë propozimin francez, por teksa falenderoi Presidentin Macron për angazhimin bëri të ditur se vendimi për të ardhmen e vendit do të merret pasi të konsultohet me te gjithë faktorët.

“Propozimi paraqet bazë për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, së pari në Qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas edhe me Presidentin  vendit, me Parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin qytetar dhe opinionin e ekspertëve”.

Palët e përfshira në këto negociata nuk kanë bërë të ditur ende se çfarë përmban kompromisi i arritur këtë të enjte në Madrid.

Klan Maqedonia