Forumi Ekonomik Ndërkombëtar u mbajt për herë të parë në Shqipëri, ku bëri bashkë investitorë, liderë biznesi dhe përfaqësues të lartë shtetërore nga e gjithë bota. Në këtë forum mori pjesë edhe presidenti i Francës Emanuel Macron, i cili dha një sinjal të fortë mbështetje për Shqipërinë. E sidomos për integrimin në Bashkimin Europian, që sipas tij mund të ndodhë brenda dy viteve.
“Këtu në Shqipëri qartësisht keni në fakt pikën hyrëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, ndaj iu inkurajoj të investoni në Shqipëri sepse keni udhëheqje të fortë. Nuk flas vetëm sepse Edi është miku im, por sepse ka sjellë rezultate. Në dy vitet që vijnë duke qenë se ka mandat të qartë, do të jenë pjesë e BE. Të jeni të sigurt që ne si Evropë do të japim rezultate dhe mbështetje”, thekson Presidenti francez.
Presidenti Macron propozoi një strategji për zhvillimin ekonomik në Europë, bazuar në tre fusha që duhet të kenë prioritet për investime sipas tij.
“Europa duhet të investojë, në mbrojtje, teknologjinë e gjelbër dhe IA. Këto tre fusha do kërkojnë shumë më tepër investime publike dhe private, na duhen financime të përbashkëta. Me krizën në Ukrainë u ekspozuan kostot. Pyetja është a do të bëhemi një fuqi e gjelbër e aftë, përgjigjja është Po, por kjo është një fazë e re e rrugëtimit europian. Duhet të shmangim luftën e brendshme në Europë”, shprehet Macron.
Edhe për kryeministrin Rama ka ardhur koha që edhe për Europën të çelet një epokë e re.
“Kur dëgjova presidentin e SHBA të fliste për një epokë të artë, ndjesia ime ishte që në fakt, një epokë e artë mund të çelet edhe për Evropën. Gjithçka do të varet nga sa shpejt do të mendojmë jashtë kornizës dhe të veprojmë e kuptojmë që në këtë botë çdo kush tjetër po bën të pamendueshmen, Edhe Evropa mund dhe duhet të mendojë të bëjë të pamendueshmen”, shprehet Rama.
Ndër të tjera, në fjalimin e tij, kreu i qeverisë shqiptare nuk e fshehu synimin për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj duke u treguar peshën që tashmë ka Shqipëria në Europë.
“Jemi këtu që të përcjellim mesazhin që ky vend do më shumë dhe që ky vend ka nevojë më shumë njerëz që të na besojnë. E mira e Shqipërisë është që ne jemi miq të mirë me shumë njerëz. Ne jemi partnerë të SHBA e BE por edhe të bekuar se kemi partneritete të bekuara me Emiratet, Arabinë Saudite. Po përpiqemi të mësojmë nga realitete të ndryshme dhe të bëjmë maksimumin që të nxjerrim më të mirën prej tyre”, shprehet Kryeministri.
Njëzëri, liderët deklaruan se Europa duhet të sigurojë sëtabiltet nga pasojat që ka shkaktuar Rusia por dhe si pasojë e politikës tarifore të administratës së Donald Trump.
Klan News