“Beogradi të dënojë sulmin, Prishtina të zbatojë marrëveshjet”

Franca ka vendosur pezullimin e vendimit për heqjen e vizave për qytetarët kosovarë në zonën Shengen, vendim që duhej të hynte në fuqi më 1 Janar 2024.

Kjo vendimarrje pason masat shtrënguese që BE-ja ka ndërrmarrë ndaj Kosovës për shkak të hezitimit të Kurtit që të zbatojë marrëveshjen e nënshkruar vite më parë në Bruksel për themelimin e bashkësisë së komunave serbe në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat.

“Ne ndjekim me vigjilencë tensionet që ekzistojnë mes Serbisë dhe Kosovës, Franca e Gjermania kanë bërë udhërrëfyes që është i duhuri për t’i dhënë një zgjidhje konflikteve mes Beogradit e Prishtinës e presim që ky plan të respektohet nga të dyja palët. Presim reflektim dhe përgjegjësi për angazhimet e marra nga Presidenti Vuçiç dhe po ashtu pres të njëjtën gjë nga Presidentja dhe kryeministri kosovar. Ne kemi bërë një gjest besimi sa i takon vizave, e sa i përket Francës vendimi për heqjen e tyre është ndërmarrë sepse ne respektojmë fjalën e dhënë e sot fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy shtete, Kosova dhe Serbia që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin.”

Kryeministri Rama tha se “do të ishte dramatike” për Kosovën që ta humbiste të drejtën e lëvizjes së lirë në BE.

“Do të ishte dramatike që të humbiste një të drejtë më në fund të fituar për të lëvizur lirisht në Bashkimin Europian, dramatike. Dhe ndërkohë, të dyja palët kanë në tavolinë kanë planin franko-gjerman që është më e mira e mundshme për Kosovën.”

Nga Tirana, Macron i kërkoi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç që të dënojë sulmet e 24 Shtatorit në Banjskë në veri të Kosovës ku u vra reshteri Afrim Bunjaku.

Sipas presidentit francez dënimi i këtij sulmi nga Vuçiç kontribuon në rikthimin e qetësisë në veri të Kosovës.

Klan News