Presidenti Emmanuel Macron u ka kërkuar institucioneve arsimore në Francë që të zhvillojnë orë diskutimi mbi racizmin dhe antisemitizmin.

Thirrja vjen pas përdhunimit të një vajze hebreje në një lagje në periferi të Parisit. Tre adoleshentë u arrestuan këtë javë pas denoncimit nga një adoleshente 12-vjeçare nga Courbevoie, në perëndim të Parisit, e cila deklaroi se ishte përdhunuar në grup, ndërsa ishte fyer me fjalë përçmuese antisemitike.

Mediat franceze raportuan gjithashtu se njëri nga sulmuesit e ka kërcënuar se do ta vriste vajzën nëse ajo shkonte në polici.

Hetimi është i përqendruar rreth akuzave për përdhunim dhe kërcënimeve me vdekje. Incidentet antisemitike në Francë janë rritur që kur nisën luftimet mes Izraelit dhe Hamasit. Reagimi i kreut të Elizesë vjen, në mes të një fushate zgjedhore tre-javore, pasi ai thirri një zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbahen në 30 Qershor dhe 7 Korrik.

Presidenti i kërkoi ministres së Arsimit Nicole Belloubet të organizojë diskutime në të gjitha shkollat ​​mbi racizmin, për të parandaluar gjuhën e urrejtjes që po rezulton me pasoja të rënda. Kundërshtarët kanë akuzuar ‘Tubimin Kombëtar’ dhe partinë e së majtës së fortë ‘France Unboëed’ brenda aleancës së ‘Frontit Popullor’ për tolerimin e pikëpamjeve antisemitike në radhët e tyre, akuza që të dyja palët i mohojnë.

Reagimet e forta për përdhunimin e 12 vjeçares u shoqëruan edhe me protesta. Një turmë e madhe protestuesish u mblodhën përpara bashkisë së Parisit për të dënuar antisemitizmin. Kryeministri Gabriel Attal e quajti sulmin “absolutisht të neveritshëm dhe të papërshkrueshëm”.

Një raport i janarit 2024 nga Këshilli i Institucioneve Hebraike në Francë (CRIF) tha se kishte pasur një rritje prej 284% të akteve antisemitike në Francë midis 2022 dhe 2023. Gati 13% e akteve të tilla vitin e kaluar kanë ndodhur në shkolla.

Klan News