Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti, siguron për mbështetjen franceze në prioritetet e Qeverisë Kurti, sipas tij për të mirën e kosovarëve dhe për afrimin e Kosovës me Europën.

Veç kësaj, Macron theks të veçantë i ka dhënë dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ku jep qëndrimin e tij se zgjidhja e mosmarrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës, është sfidë madhore me të cilën duhet të përballet Qeveria Kurti.

”Zgjidhja e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës është një sfidë madhore, me të cilën do të duhet të përballeni. Në vitet e fundit është bërë përparim i rëndësishëm në dialogun që autoritetet kosovare kanë zhvilluar me Beogradin, nën kujdesin e Bashkimit Europian”.

”Shpresoj që ju të vazhdoni këtë dialog në mënyrë që të arrini një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin europian të Kosovës, sikurse të Serbisë’’.

”Të jeni të sigurt se do të keni mbështetjen time të plotë”.

Mes tjerash presidenti francez, kryeministrit kosovar në këtë letër i ka bërë një ftesë për vizitë në Paris.

”Unë do të isha shumë i lumtur t’ju mirëprisja në Paris së shpejti për të diskutuar rreth këtyre temave. Duke përsëritur urimet e mia më të mira në detyrat tuaja të reja, ju lutem pranoni zoti Kryeministër, konsideratën e vlerësimit tim më të lartë”./klankosova