Emmanuel Macron u bë i pari President francez që viziton Beogradin pas 18 vitesh.

Shefi i Elizesë u prit me nderime nga homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç në nisje të vizitës së tij dy ditore, që ka për qëllim rigjallërimin e marrëdhënieve pas ulje-ngritjeve të viteve të fundit.

Para nisjes së takimit në pallatin presidencial, dy liderët u ndalën fillimisht tek globi, duke i treguar njëri – tjetrit për kufijtë e vendeve respektive, mbase edhe problemet territoriale.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Vuçiç tha se takimi kokë më kokë me Macronin ishte ndër më të gjatët që kishte zhvilluar ndonjëherë si President. Në fokus ishte edhe çështja e Kosovës, për të cilën Vuçiç njoftoi se Macron e kishte garantuar se do të ndihmonte për arritjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.

Dialogu Prishtinë-Beograd është bllokuar prej taksës 100 % për produktet serbe. Pak ditë më parë, agjencia franceze e lajmeve AFP shkruante se Franca kishte një qëndrim më të hapur për propozimin për shkëmbimin e territoreve, krahasuar me JO-në kategorike gjermane.

Tv Klan