Kremlini ka paralajmëruar se një konflikt midis Rusisë dhe NATO-s do të ishte i pashmangshëm nëse dërgohen trupa

Presidenti francez Emmanuel Macron ka ashpërsuar tonet ndaj Rusisë duke njoftuar se nuk mund të përjashtohet dërgimi i trupave tokësore perëndimore në Ukrainë për të mposhtur Moskën. Deklarata u bë pas takimit me liderë të 20 vendeve europiane në Paris në një konferencë për Ukrainën.

“Gjithçka u diskutua në mënyrë të lirë dhe të drejtpërdrejtë. Nuk pati konsensus për të dërguar trupa në terren në një mënyrë që është zyrtare, e supozuar dhe e miratuar. Por në dinamikë, asgjë nuk duhet të përjashtohet. Ne do të bëjmë gjithçka që Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë.”

Rusia, tha ai, po tregon një qëndrim më agresiv jo vetëm në Ukrainë, por në përgjithësi. Kreu i Elizesë ripërsëriti edhe njëherë idenë që qarkullon prej javësh mes liderëve perëndimore dhe zyrtarëve të NATO-s, se nëse Putin del fitimtar në këtë luftë ai nuk do të mjaftohet me kaq por do të nisë edhe një sulm ndaj vendeve të tjera duke shkaktuar një luftë të tretë botërore. Ai e shikon dërgimi i trupave perëndimore në Ukrainë si vendimin më të drejtë për të garantuar sigurinë e Europës.

Pas kësaj deklarate të presidentit francez, Kremlini ka paralajmëruar se një konflikt midis Rusisë dhe NATO-s do të ishte i pashmangshëm nëse anëtarët evropianë të aleancës dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë.

“Në atë rast, do të na duhet të flasim jo për probabilitetin, por për pashmangshmërinë e një konflikti të drejtpërdrejtë,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Konferenca sinjalizoi dëshirën e Macron për të paraqitur veten si një kampion evropian i kauzës së Ukrainës, mes frikës në rritje se mbështetja amerikane mund të zbehet në muajt e ardhshëm. Mes të tjerash, udhëheqësit evropianë janë pajtuar të krijojnë një koalicion për të furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe bomba, mes sulmeve të fundit intensive.

Pas sukseseve fillestare në zmbrapsjen e ushtrisë ruse, Ukraina ka pësuar pengesa në fushat e betejës lindore, me gjeneralët e saj të cilët flasin për mungesë municionesh dhe ushtarësh. Duke folur pas bisedimeve në Paris, kryeministri holandez Mark Rutte tha se Holanda do të kontribuojë me 100 milionë Euro në nismën çeke për të blerë municion për Ukrainën nga vende anembanë botës.

Klan News