SHBA-ja ka premtuar 4 miliardë doza për vendet që ende nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinave Covid 19

Presidenti francez Emmanuel Macron u ka bërë thirrje Evropës dhe SHBA të dërgojnë urgjentisht deri në 5% të furnizimeve të tyre të vaksinave koronavirus në vendet e varfra.

Për Financial Times, Macron u shpreh se dështimi për të ndarë vaksinat në mënyrë të drejtë do të ngurtësonte pabarazinë globale. Pjesa dërrmuese e vaksinave janë administruar nga vendet me të ardhura të larta deri më tani.

Kreu i Elizesë propozoi planin e tij  përpara një samiti virtual të G7 të liderëve botërorë. Ndërkaq edhe presidenti amerikan Joe Biden premtoi  4 miliardë dollarë për një program të vaksinimit kundër koronavirusit për vendet më të varfra.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se SHBA-ja do t’i japë menjëherë dy miliardë dollarë për programin ndërkombëtar COVAX, ndërsa dy miliardët e mbetur do të jepen gjatë dy viteve të ardhëshme.

Plani është hartuar për t’iu mundësuar vendeve të varfra të arrijnë hapin në vaksinim, përballë vendeve të pasura. Deri më tani, të paktën 110 milion njerëz janë infektuar me virusin në të gjithë botën dhe më shumë se 2.4 milion kanë vdekur, sipas shifrave nga Universiteti Johns Hopkins .

Macron është shprehur se kancelarja gjermane Angela Merkel do të mbështeste një iniciativë evropiane për ndarjen e vaksinave, duke shtuar se ai shpresonte të fitonte mbështetjen e SHBA-së gjithashtu.

Deklaratat e presidentit francez vijnë pas thirrjes që bëri Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres se tanimë po shikohet gjithnjë e më shumë një  shpërndarje globale tepër e pabarabartë dhe e padrejtë të vaksinave Covid-19. 

Guterres u shpreh se 130 vende ende nuk kanë marrë asnjë dozë të asnjërës prej vaksinave të miratuara.

Klan News