Venezuela vendosi të ndërpresë përkohësisht fluturimet me Kolumbinë pasi presidenti i vendit Nikolas Maduro lajmëroi se ishte zbuluar një komplot për të destabilizuar vendin në prag të zgjedhjeve. Sipas autoriteteve vendase 38 persona janë arrestuar, 17 nga të cilët thuhet se janë të huaj. Për këtë Maduro akuzoi mafian shqiptare të lidhur me qeverinë e Ekuadorit.
“Mafia shqiptare që qeveris Ekuadorin dërgoi disa nga mercenarët e saj të trajnuar për të vendosur bomba në Venezuelë. Ata janë kapur. Siç e kam denoncuar, kemi të bëjmë me mafian shqiptare”, tha Nicolas Maduro, President i Venezuelës.
Autoritetet publikuan edhe foton e njërit prej të arrestuarve, Enit Kasmi me origjinë shqiptare. Ministri i Brendshëm i Venezuelës tha se ishte ndaluar edhe hyrja e personave të huaj që hynin në vend nëpërmjet Kolumbisë.
Ai tha se pezullimi i fluturimeve nga Kolumbia mund të zgjasë përtej 25 majit kur vendi do të mbajë zgjedhjet legjislative dhe rajonale. Autoritetet venezueliane flasin shpesh për komplote dhe sulme të planifikuara kundër Presidentit Nicolas Maduro, rrjetit elektrik të vendit dhe objektivave të tjerë. Deri tani qeveria e Kolumbisë nuk ka bërë ndonjë koment për rastin.
Tv Klan