Tokat e sekuestruara në Vlorë në sipërfaqe totale 340 hektarë, hetimi i kalon për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda. Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë në dor hetimet për tokat e sekuestruara në Vlorë, me sipërfaqe totale 340 hektarë. Toka e sekuestruar ka një vlerë prej 240 milionë euro.

Nga hetimet e Prokurorisë së Vlorës, skema e falsifikimit të dokumenteve në këto raste është realizuar nga i njëjti grup personash dhe ka krijuar dyshimet e arsyeshme se veprimet e kundërligjshme janë kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Për këtë arsye, Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencën, duke ia kaluar aktet Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është përgjegjëse për hetimin e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Prokuroria e Vlorës, në hetimet e zhvilluara gjatë tre muajve të fundit, ka zbuluar skemë falsifikimi dokumentesh dhe ka marrë lejen e gjykatës për sekuestrimin e pasurive

Pronat që janë sekuestruar:  

Në Palasë, Himarë, tokë me sipërfaqe 33 hektarë, në vlerë rreth 30 milionë euro

Në Karaburun, Vlorë, tokë me sipërfaqe 220 hektarë, me vlerë rreth 110 milionë euro

Në Zvërnec, Vlorë, tokë me sipërfaqe 89 hektarë, me vlerë rreth 100 milionë euro

Sipas organit të akuzës në të tre episodet janë të përfshirë shtetasit nën hetim Pullumb Petritaj, Enkes Hysendhima, Blerina Dhrami, Rajmond Mezi, Donika Besimaj, Lefter Gjergji dhe Belona Seraj, të cilët, në bashkëpunim mes tyre, kanë konsumuar elementët e veprave penale: “Falsifikimi i dokumenteve”; “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Në përbërjen e këtij grupi të strukturuar kriminal janë përfshirë zyrtarë lokal, të cilëve u janë ngarkuar detyra konkrete në lidhje me falsifikimin apo dhe regjistrimin e pasurive të paluajtshme, zyrtarë të punësuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe pranë ZVRPP Vlorë.

Rezulton se ky grup kriminal është krijuar me qëllimin e vetëm për të përfituar pasuri të paluajtshme në zonën bregdetare të qarkut të Vlorës, përmes falsifikimit të dokumenteve nëpër institucione të ndryshme shtetërore. /

tvklan.al