Dy persona janë arrestuar nga policia e Durrësit sa i përket magazinës së drogës, që u zbulua në fshatin Rrotull të Ishmit, disa kilometra larg ku u rrëzua dhe avioni i pilotit italian.

Sipas policisë të arrestuarit janë Julian Dama, 27 vjeç dhe Altin Lleshi, 32 vjeç. Policia thotë se ata me një furgon, me targa AA 039 BK dhe automjetin tip “Peugeot”, me targa AA 892 LP, kryenin funksionin e transportuesve të punëtorëve.

Dy ditë më parë policia gjeti tek vila dy katëshe 300 kilogramë kanabis sativa. Ajo është ndërtuar mes pyllit, në një fshat të largët të njësisë administrative Ishëm, larg banesave të tjera dhe vëmendjes së banorëve.

Ambientet e brendshme të saj shërbenin si laborator për pastrim, tharjen dhe magazinim e bimëve narkotike.

Në dhomat e katit të parë ishin vendosur tela, në të cilat vareshin bimët, ku nëpërmjet ventilatorëve kryhej procesi i tharjes.

Vila është në pronësi të Besmir Agasit, 47 – vjeç, banor i fshatit Kërtushaj, i cili është shpallur në kërkim./tvklan.al