Flet drejtori i Zjarrfikëses: Nuk mund të flasim me siguri për izolimin e zjarrit

Edhe pse forcat zjarrëfikëse kanë vijuar punën për rreth 20 orë pa ndërprerje, ende nuk kanë mundur të gjejnë gjurmë të shefit të sigurisë, 33-vjeçarit Arjan Sala, i cili dyshohet të ketë mbetur në katin e nëndheshëm të magazinës, ku vatrat e zjarrit aktivizohen herë pas here.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, raporton nga vendngjarja se në magazinën prej 1000 metrash katror që i ishte dhënë me qera një subjekti privat, ndodheshin materiale lehtësisht të djegshme, rroba dhe dyshekë.

Në momentin kur ka rënë zjarri, njëri nga punonjësit ka njoftuar shefin e sigurisë, 33-vjeçarin Arjan Sala, i cili ka shkuar drejt vatrës së zjarrit me një bombul fikëse, bashkë me kolegun e tij. Kolegu i tij është kthyer për të marrë një bombul tjetër, por Sala nuk është kthyer më.

Forcat zjarrëfikëse po ndërhyjnë ne aparatura të veçanta, duke u organizuar në grupe, por ende nuk ka gjurmë të 33-vjeçarit.

Nga ana tjetër familjarët kanë bërë apel për shtim të forcave zjarrëfikëse, pasi sipas tyre nuk ka mjaftueshëm zjarrfikës dhe ka mungesë të mjeteve.

Ndërkohë, drejtori i forcave zjarrëfikëse, Shkëlqim Goxhaj, është shprehur se ndërhyrja është bërë nga brenda objektit që në fillim, por izolimi i zjarrit është tepër i vështirë.

Ai ka theksuar se puna mund të vijojë me ditë, pasi raste të tilla ku digjen materiale plastike në një ambient të nëndheshëm janë me rrezik dhe ndërhyrja bëhet me aparatura të veçanta.

“Nuk kemi konstatuar trupin e punonjësit që i kanë thënë qytetarët. Puna jonë është e përqëndruar tek magazina. Mendoj që situata është disi më mirë. Për momentin aty ka vetëm tym. Që në momentin e parë ndërhyrja ka qenë nga brenda, magazina është nën tokë dhe është e pamundur që të bëhet një ndërhyrje normale. Jemi futur me pajisje speciale. Ndërhyrja ka qenë nga brenda që në momentin e parë dhe vazhdon ashtu të jetë. Ju shikoni pas krahëve të mi që është një numër shumë i madh punonjësish që futen 2 nga 2 ose 3 nga 3, për 25 minuta për një pjesë të aparateve të oksigjenit dhe 40 minuta për një pjesë tjetër. Kemi afruar pothuajse të gjithë shërbimin e Tiranës dhe po punojmë. Këto zjarre janë shumë të rrezikshme dhe po të kemi parasysh nga herët e tjera, kur kemi pasur të bëjmë me materiale plastike dhe që janë gjendur edhe mbi tokë, zjarri ka vazhduar për ditë të tëra. Kështu që nuk flasim dot me siguri se kur izolohet ky zjarr, por për objektin dhe zonën përreth nuk do të jetë në rrezik pasi flakët janë ulur. Vazhdojmë paralelisht me luftën e izolimit të zjarrit dhe kërkim-shpëtimin për personin”, tha Shkëlqim Goxhaj.

Magazina e qendrës tregtare u përfshi nga flakët pasditen e së mërkurës në zonën pranë mbikalimit të Kamzës, ku shefi i sigurisë, Arjana Sala, mbeti i bllokuar dhe humbi kontaktet me familjarët pasi shpëtoi 25 punonjës të tjerë.

Forcat zjarrëfikëse janë ndihmuar edhe nga forcat e kërkimit të minierave dhe gjithashtu në zonën e qendrës tregtare ka mbërritur edhe një automjet ujëhedhës nga Kamza.

Një nga startegjitë që është përdorur për të reduktuar flakët dhe tymin ka qenë edhe hapja e pusetave, por situata dhe ndërhyrja mbetet e vështirë për të ndërhyrë pasi flakët vijojnë të jenë prezente.

Një pjesë e grupit hetimor dyshon për një shkëndijë elektrike. Ka pasur edhe ekspertë për të verifikuar nëse kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme.

Klan News