Kjo është Marjana Çmeta, e cila ndodhet në burg që nga Marsi i vitit të kaluar, e akuzuar se ka vrarë vjehrrën e saj, në Prill të vitit 2017. Njoftimet e para ishin se Lirije Lami, në fshatin Zall Mner të Tiranës, ndërroi jetë pas një infarkti. Por thashethemet e fshatit, dyshimet e familjarëve dhe në fund një video e regjistruar nga hoxha i fshatit, nxorën në dritë një tjetër skenar. Sipas prokurorisë, 22-vjeçarja Marjana Çmeta e helmoi vjehrrën, me gjasë, pasi ajo i bënte magji dhe pasi u rrëfye tek hoxha e fshehu krimin për një vit rresht. Sot nusja e re dëshmoi para gjykatës, duke mos i qëndruar dëshmisë së dhënë gjatë hetimit, e duke mos pranuar se e ka vrarë vjehrrën.

“Tre ditë pas vdekjes së vjehrrës më kanë dërguar tek hoxha me vëllain tim. Ai më dha një hudhër që ta haja. Unë nuk i duroj dot, por më tha se nëse nuk e ha këtë hudhër, do të të lë në këtë gjendje gjithë jetën. Aty u frikësova dhe e hëngra hudhrën. Kam menduar se jam në gjumë. Nuk mbaj mend asgjë çfarë kam thënë. Kur jam zgjuar kam parë para meje vetëm një raft me libra dhe anash meje hoxhën me një laptop përpara. Pastaj më tha ik në psikiatri, sepse po flet përçart. Nëse të pyet psikiatri çfarë ke, thuaji që dëgjoj zëra. Unë kështu veprova pasi shkova në psikiatri”.

Por në rrëfimin që nusja kishte bërë në xhami, të cilin hoxha ia ka dorëzuar prokurorisë, ajo tregon se e kishte vrarë vjehrrën pasi i bënte magji për t’i prishur martesën. Gjatë dëshmisë së sotme në gjykatë, prokuroria bëri të ditur se në një USB që i është sekuestruar, nusja kishte edhe një film me titull “Vrasja e Magjistarit”. Por ajo mohoi ta kishte parë këtë film.

Historia vërtitet rreth mosmarrëveshjeve në shtëpi, të cilat sipas bestytnive të nuses dhe vjehrrës, shkaktoheshin nga magjitë. Në dëshminë e parë, nusja ka pohuar se kishte gjetur sende të çuditshme në shtëpi, për të cilat mendonte se ishin magji. Dhe dyshimet kishin rënë pikërisht mbi vjehrrën. Por në dëshminë e dhënë sot, ajo tregon se vjehrra bënte shkrime të shenjta tek hoxha për të prishur magjitë.

“Vjehrra ankohej se vajza nuk i bindej më. Unë isha e shqetësuar se burri im ishte vazhdimisht me nerva. Ajo më tha: Më duket se po iu bëjnë magji-ndaj ju kam shkruajtur tek hoxha. I thashë që nuk është zgjidhje të shkruash tek hoxha, por duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Ajo e mori sikur po i thoja se ajo shkonte tek hoxha për të na bërë keq neve. Ajo donte të sillte dëshmitarë që kishte shkuar tek hoxha për të prishur magjinë, por unë nuk e lejova dhe u zumë”.

Më pas Marjana tregoi se ishin ndarë me vjehrrën në dhoma të ndryshme dhe pas disa orësh e kishte gjetur atë në gjendje të rëndë. Prokurori i çështjes kërkoi kundërshtimin e pjesshëm të dëshmisë së nuses, gjë të cilën gjykata e pranoi.

Klan Plus